Një studim i ri shkencor i publikuar në revistën prestigjioze “Frontiers in Psychology” ka hedhur dritë mbi përvojat e njerëzve që kanë qenë në prag të vdekjes, duke shqyrtuar kujtimet e tyre përmes një metode alternative: vizatimit të çasteve kur mendonin se po ndërronin jetë dhe më pas janë rikthyer në jetë.
Hulumtimi u kërkoi pjesëmarrësve të skiconin në letër atë që kishin përjetuar, me qëllim kapjen e elementëve që shpesh janë të vështirë për t’u shprehur vetëm me anë të fjalëve. Nga analiza e vizatimeve dhe pyetësorëve, studiuesit identifikuan një sërë ngjashmësish të habitshme në përshkrimet e individëve, ku më të përsëriturat ishin imazhet e tuneleve, hapësirave të pafundme dhe dritës që intensifikohet gradualisht.
Në një nga skicat, një prej pjesëmarrësve kishte paraqitur një hapësirë të ndarë në zona të errëta dhe të ndritshme, duke shënuar me një kryq pozicionin e tij dhe duke e përshkruar si një dimension “pafundësisht të madh”. Një tjetër pjesëmarrës kishte vizatuar një tunel të lakuar që kalonte nga errësira e plotë në dritën e agimit. “Në fillim ishte e zezë si nata dhe në fund u bë gri, si drita e parë e agimit”, tregoi ai.
Përveç imazheve të dritës dhe tunelit, shumë prej të mbijetuarve raportuan se kishin parë njerëz të dashur që kishin ndërruar jetë vite më parë, ndërsa të tjerë përshkruan se kishin parë skena nga e kaluara e tyre apo pamje që i perceptonin si të ardhmen.
Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se këto të dhëna janë përshkruese dhe retrospektive. Sipas tyre, hulumtimi nuk provon ekzistencën e një modeli universal dhe as nuk përbën dëshmi shkencore se jeta vazhdon pas vdekjes, por shërben si një mjet i vlefshëm për të kuptuar më mirë mënyrën se si truri i njeriut i përpunon dhe i ruajtur kujtimet e situatave ekstreme afër vdekjes.


Leave a Reply