Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime të rëndësishme në Rregulloren e Planifikimit të Territorit, duke vendosur kërkesa të reja për planifikimin hapësinor detar, mbrojtjen e ekosistemeve dhe vlerësimin e ndikimeve mjedisore nga aktivitetet ekonomike në det.
Ndryshimet, të miratuara me vendimin nr. 823 dhe të botuara tashmë në Fletoren Zyrtare, prekin rregulloren ekzistuese të vitit 2017 duke u detyruar autoriteteve një qasje të bazuar në ekosistem. Kjo nënkupton se shfrytëzimi i hapësirave detare për turizëm, transport, peshkim apo infrastrukturë nuk do të mbështetet vetëm te zhvillimi ekonomik, por do të duhet të garantojë ruajtjen e ekuilibrave natyrorë dhe të shmangë konfliktet mes veprimtarive të ndryshme.
Gjithashtu, vendimi i ri forcon rolin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor (VSM) si instrument kryesor për identifikimin e zonave të ndjeshme dhe përcaktimin e masave mbrojtëse përpara nisjes së çdo projekti. Edhe pse akti nuk vendos ndalime të drejtpërdrejta për ndërtimet në bregdet apo ndryshime në lejet e ndërtimit, ai përafron plotësisht legjislacionin shqiptar me Direktivën 2014/89/BE të Bashkimit Evropian për planifikimin hapësinor detar.


Leave a Reply