Reshjet masive të shiut të sjella nga stuhia “Agneta” kanë shkaktuar përmbytje të rënda në ishullin e Rodosit në Greqi. Rrjedhat e fuqishme të ujit kanë marrë përpara dhjetëra automjete, si dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, biznese dhe infrastrukturë rrugore.
Epiqendra e krizës është shënuar në Arhangelos, në pjesën lindore të ishullit. Pas më shumë se 17 orësh reshjesh të pandërprera, lumi vendas doli nga shtrati gjatë natës duke përmbytur zonat e banuara. Sipas të dhënave të para, të paktën 60 automjete janë marrë nga rrjedha ose janë dëmtuar rëndë. Disa banorë janë detyruar të ngjiten në çatitë e banesave për t’i shpëtuar ujit, ndërsa shërbimet e emergjencës kanë kryer dhjetëra operacione shpëtimi.
Autoritetet shtetërore greke kanë aktivizuar sistemin e emergjencës 112, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme. Si masë sigurie, procesi mësimor është pezulluar në shkollat e zonave të prekura dhe disa akse rrugore janë bllokuar plotësisht për qarkullimin.
Përveç Rodosit — i cili pësoi përmbytje fatale edhe tri javë më parë —, moti i keq ka krijuar probleme edhe në Samos, Kalymnos dhe në Greqinë qendrore. Shërbimet meteorologjike paralajmërojnë se stuhia “Agneta” do të vijojë të mbetet aktive, me reshje të intense që pritet të zhvendosen drejt ishujve të Jonit, Greqisë perëndimore dhe zonave veriore gjatë ditës së martë.


Leave a Reply