Të dhënat e OSHEE Group tregojnë se gjatë vitit 2026 janë reduktuar rreth 2.5 milionë euro kamatëvonesa për klientët që kanë zgjedhur të likuidojnë me një pagesë të vetme detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike.
Deri tani janë formalizuar 4,095 aktmarrëveshje me Furnizuesin e Shërbimit Universal, ndërsa 2,818 klientë familjarë dhe jofamiljarë, mes të cilëve edhe biznese, kanë shlyer të gjithë detyrimin me një këst, duke përfituar lehtësime të kamatëvonesave sipas kategorisë.
Skema parashikon nivele të ndryshme reduktimi: familjarët përfitojnë ulje prej 70%, klientët jofamiljarë, buxhetorë dhe jobuxhetorë ulje prej 50%, ndërsa bizneset e vogla gëzojnë falje të plotë të kamatëvonesës nëse likuidojnë menjëherë gjithë detyrimin.
Kushti themelor për të përfituar nga kjo skemë është që klientët debitorë të kenë shlyer paraprakisht detyrimet e vitit 2025 e më pas. Për kategorite në nevojë, si familjarët me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë, pagesa minimale mujore fillon nga 1,200 lekë, me numër maksimal prej 240 këstesh.
Për faturat korrektive dhe ato sistemuese, OSHEE ka miratuar një skemë të veçantë që lejon shlyerjen deri në 24 këste.
Foto: Fré Sonneveld / Unsplash

Leave a Reply