Evis Sala, ish-ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka reaguar publikisht pas dorëheqjes nga kjo detyrë, duke bërë një bilanc të punës së kryer gjatë vitit të fundit. Në deklaratën e saj, Sala theksoi se puna e saj u fokusua në dy drejtime paralele: zgjidhjen e problemeve të menjëhershme dhe ndërmarrjen e reformave afatgjata në sistemin shëndetësor.
Ndër arritjet kryesore, ish-ministrja përmendi reformën në onkologji, nënvizuak ngritjen e Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe partneritetin strategjik me Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano. Sipas saj, gjatë këtij viti u miratuan 38 protokolle të unifikuara trajtimi dhe u futën 21 barna inovative antitumorale, ndërsa numri i pacientëve të trajtuar u rrit me 17 për qind.
Sala përmendi gjithashtu rritjen e pagave për rreth 20 mijë mjekë e infermierë, zgjerimin e shërbimeve sociale, dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe përparimin drejt dixhitalizimit të spitaleve. Ajo falënderoi stafet shëndetësore, qytetarët dhe diasporën shqiptare, duke nënvizuar se angazhimi i saj për vendin do të vazhdojë përtej funksionit institucional, përmes eksperiencës dhe rrjetit të saj ndërkombëtar profesional.
Foto: Annie Spratt / Unsplash

Leave a Reply