Prodhuesi kinez i komponentëve për automjete, Minth Holdings Limited, ka inauguruar një fabrikë të re në Shabac, në veriperëndim të Serbisë, me një investim fillestar prej 20 milionë eurosh. Objekti është i dedikuar për prodhimin e robotëve humanoidë dhe qenve robotikë, si pjesë e një plani më të gjerë që parashikon investime shtesë prej 200 milionë eurosh.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se këta robotë janë të destinuar për përdorim ushtarak, duke saktësuar se do të jenë të aftë të operojnë armë të ndryshme, duke përfshirë mitralozë dhe raketahedhës, pasi të kalojnë testimet e nevojshme.
Themeluesi i Minth, Qin Ronghua, bëri të ditur se në mesin e shtatorit kompania do të hapë një park të ri industrial në Indjija, në veri të vendit, me vlerë 200 milionë euro, i cili do të prodhojë gjithashtu dronë dhe bateri të teknologjisë së lartë. Kapaciteti fillestar i fabrikës në Shabac parashikon montimin e mbi 5.000 robotëve në vit, me synimin për të arritur në 20.000 njësi vjetore në fazat e mëvonshme.
Minth, e pranishme në Serbi që prej vitit 2018, bashkëpunon me kompaninë kineze Agibot për nisjen e prodhimit në seri. Vuçiç ka shprehur ambicien që Serbia të bëhet vendi i parë evropian që prodhon robotë humanoidë në shkallë industriale.
Foto: ZHENYU LUO / Unsplash

Leave a Reply