Qeveria shqiptare parashikon të investojë rreth 50 milionë lekë për themelimin e Shoqërisë Shtetërore të Pyjeve, një shoqëri aksionare me kapital tërësisht shtetëror. Nismën e ka propozuar Ministria e Mjedisit, e cila argumenton se ky institucion i ri do të mbështesë pushtetin vendor në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, pa i cenuar kompetencat e tij.
Megjithatë, Ministria e Financave ka shprehur rezerva të forta lidhur me kostot që kjo nismë mund t’i shkaktojë buxhetit të shtetit. Financat vënë në dukje se kapitali fillestar prej 50 milionë lekësh nuk është diskutuar e as parashikuar brenda tavaneve buxhetore për periudhën 2026–2028, duke kërkuar sqarime të qarta mbi burimet e financimit.
Ministria e Mjedisit ka deklaruar se vërejtjet e Financave janë adresuar gjatë rishikimit të projektligjit, i cili është ripunuar në tërësi duke reflektuar edhe komentet e Ministrisë së Drejtësisë.
Ndër problematikat që kjo shoqëri synon të zgjidhë, qeveria përmend mungesën e koordinimit institucional, shfrytëzimin informal të burimeve pyjore dhe degradimin e ekosistemeve. Objektivi i deklaruar është bashkimi i funksioneve të monitorimit dhe planifikimit afatgjatë, me synimin për të gjeneruar të ardhura dhe për të nxitur zhvillimin rural.
Foto: Zoshua Colah / Unsplash

Leave a Reply