Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, ka ngritur alarmin publik lidhur me atë që ai e cilëson si një fushatë të organizuar hibride, me qëllim destabilizimin e vendit dhe pengimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, Spajić deklaroi se autoritetet malazeze kanë në dorë të dhëna operative të besueshme, të cilat tregojnë se çelja e kapitujve të rinj në negociatat me BE-në mund të shoqërohet me sulme hibride. Sipas tij, në këto veprime dyshohet se janë të implikuar zyrtarë nga të paktën dy shtete të rajonit.
Kreu i qeverisë theksoi se qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është dobësimi i stabilitetit të brendshëm, duke shfrytëzuar mbështetjen e disa aktorëve politikë dhe një pjese të mediave vendase. Pavarësisht kësaj, Spajić u shpreh i vendosur se asnjë presion i jashtëm nuk do të jetë i aftë të devijojë Malin e Zi nga rruga e integrimit evropian.
Kryeministri nuk përmendi konkretisht asnjë shtet, por gazeta malazeze “Vijesti”, duke u mbështetur në burime të brendshme, raportoi se dy vendet e rajonit të cilave Spajić u referohej në mënyrë të tërthortë janë Serbia dhe Shqipëria.
Foto: Brett Jordan / Unsplash

Leave a Reply