Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj që synon të vendosë bazat ligjore për llogaritjen, planifikimin dhe transferimin e kontributit të Shqipërisë në buxhetin e Bashkimit Europian, pas anëtarësimit në bllok.
Dokumenti, i titulluar “Për Kontributin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë në buxhetin e Bashkimit Europian”, lidh këtë kontribut me sistemin e “Burimeve të Veta” të BE-së, duke përfshirë burime tradicionale, TVSH-në, të Ardhurat Kombëtare Bruto dhe mbetjet e paketimeve plastike të paricikluara.
Pagesat nuk do të vendosen nga autoritetet shqiptare, por do të kryhen sipas kërkesave të Komisionit Europian. Për administrimin e flukseve financiare parashikohet hapja e një llogarie të posaçme pranë Bankës së Shqipërisë. Ministria e Financave do të luajë rolin e Autoritetit Kombëtar Koordinues, ndërkohë që INSTAT, Administrata Doganore, Administrata Tatimore dhe Ministria e Mjedisit do të kenë përgjegjësi të qarta në prodhimin e të dhënave.
Detyrimet financiare do të aktivizohen vetëm pas anëtarësimit zyrtar, por institucionet duhet të kenë ngritur strukturat dhe sistemet e nevojshme brenda 24 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Nisma lidhet me përgatitjet për Kapitullin 33 të negociatave të anëtarësimit.
Foto: ALEXANDRE LALLEMAND / Unsplash

Leave a Reply