Shqipëria po ndërton bazën ligjore për bashkëpunimin tatimor me vendet e Bashkimit Evropian, duke i hapur rrugën administratave tatimore të BE-së të marrin pjesë në hetime dhe auditime të përbashkëta me Tatimet shqiptare. Projektligji “Për bashkëpunimin administrativ në fushën e tatimeve dhe shkëmbimin e informacionit tatimor” synon përafrimin me Direktivën 2011/16/BE dhe mbush një boshllëk të legjislacionit aktual, i cili nuk ofron një kuadër të konsoliduar për të gjitha format e bashkëpunimit ndërkombëtar tatimor.
Sipas draft-aktit, zyrtarët e huaj të autorizuar mund të ndjekin hetime administrative në Shqipëri, të intervistojnë individë dhe të shqyrtojnë dokumente nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Një dispozitë e veçantë ndalon shprehimisht refuzimin e informacionit vetëm për shkak se ai mbahet nga një bankë apo institucion financiar.
Parashikohet gjithashtu shkëmbim automatik vjetor i të dhënave tatimore, duke mbuluar të ardhurat nga punësimi, pensionet, pasuritë e paluajtshme dhe dividendët. Mosbashkëpunimi me procedurat e reja dënohet me gjoba nga 300 mijë deri në 1 milion lekë. Infrastruktura teknologjike e nevojshme do të kërkojë 80 milionë lekë nga buxheti shtetëror, ndërsa të gjitha efektet do të fillojnë nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Foto: Markus Winkler / Unsplash

Leave a Reply