Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar një udhëzim të ri që parashikon dhënien e imunitetit nga gjobat për ndërmarrjet që zbulojnë pjesëmarrjen e tyre në kartele të dyshuara me ndikim në tregun shqiptar. Sipas dokumentit, imuniteti u jepet vetëm atyre subjekteve që janë të parat të paraqesin informacion dhe prova cilësore, duke i mundësuar Autoritetit kryerjen e inspektimeve ose konstatimin e shkeljeve të ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Për të përfituar imunitet, ndërmarrja duhet të ofrojë një përshkrim të hollësishëm të kartelit, të bashkëpunojë plotësisht gjatë gjithë procedurës administrative dhe të ndërpresë menjëherë pjesëmarrjen në veprimtarinë e paligjshme. Ajo gjithashtu nuk duhet të fshehë apo shkatërrojë prova dhe nuk duhet të zbulojë aplikimin e saj para se Autoriteti të ketë nxjerrë vendimin përfundimtar.
Për ndërmarrjet që nuk plotësojnë kushtet për imunitet të plotë, udhëzimi parashikon mundësinë e uljes së gjobës, në varësi të vlerës së shtuar të provave të ofruara. Ndërmarrja e parë që ofron prova me vlerë të konsiderueshme mund të përfitojë ulje deri në 50 për qind, ndërmarrja e dytë deri në 30 për qind, ndërsa subjektet pasuese mund të kenë zbritje deri në 20 për qind të gjobës bazë.
Foto: Markus Winkler / Unsplash

Leave a Reply