Automjetet elektrike po shënojnë rritje të ndjeshme në Ballkanin Perëndimor, megjithëse ritmi i adoptimit ndryshon ndjeshëm nga njëri vend në tjetrin. Faktorë si çmimet, politikat fiskale dhe infrastruktura e karikimit vijojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhjet e konsumatorëve dhe dinamikën e tregjeve rajonale.
Shqipëria regjistron rritjen më të shpejtë në rajon, me 5,714 automjete plotësisht elektrike të regjistruara në gjysmën e parë të vitit 2026, një rritje prej 182% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Vendi ka gjithashtu peshën më të lartë të flotës elektrike në rajon, me 0.738%, edhe pse kjo shifër mbetet rreth tre herë nën mesataren e Bashkimit Europian.
Në Kosovë, importet e makinave elektrike janë katërfishuar që nga viti 2022, me Kinën si furnizues dominant. Në Malin e Zi, subvencionet shtetërore deri në 7,500 euro po nxisin interesin e blerësve, ndërsa rrjeti i karikimit mbetet i pazhvilluar. Bosnjë-Hercegovina paraqet tregun më të ngadaltë, ku çmimet e larta dhe infrastruktura e pamjaftueshme pengojnë zgjerimin. Serbia, paradoksalisht, prodhon automjete elektrike për eksport, ndërkohë që përdorimi vendas mbetet minimal, me vetëm 0.107% të flotës totale.

Leave a Reply