Përdorimi i instrumenteve të borxhit të qeverisë si kolateral për kreditë bankare është në rënie për të tretin vit radhazi.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 6-mujorin 2026 vlera e letrave me vlerë të borxhit qeveritar të vendosura si kolateral për kreditë bankare zbriti në 91 milionë lekë, në rënie me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në numër transaksionesh, titujt e qeverisë u vendosën si kolateral në 18 raste, shifër kjo 25% më e ulët krahasuar me një vit më parë.
Përdorimi i pakët i titujve të borxhit si kolateral për kreditë këtë vit është përqendruar i gjithi te individët.
Sipas llojit, në përgjithësi titujt e vendosur si kolateral janë obligacionet, sepse ato kanë edhe afate më të gjate maturimi, ndërsa bonot e thesarit përdoren në raste të rralla. Nga 18 transaksione të lënies së titujve si kolateral për 6-mujorin 2026, në 16 prej tyre janë përdorur obligacionet dhe vetëm në dy prej tyre bonot.
Të dhënat e AMF-së tregojnë se këtë vit vetëm dy banka tregtare që veprojnë si shoqëri komisionere kryer transaksione të vendosjes së titujve si kolateral kanë pranuar titujt e qeverisë si kolateral, Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka e Parë e Investimeve Shqipëri (Fibank).
Titujt qeveritarë mund të ofrojnë avantazhe, në raport me llojet e tjera të kolateralit të përdorur gjerësisht, kryesisht pasuritë e paluajtshme, si për huadhënësin, ashtu edhe për huamarrësin. Instrumentet financiarë janë më likuidë dhe më të lehtë për t’u vlerësuar në krahasim me tipat e tjera të pasurive. Procedurat e ekzekutimit, në rastet e mosshlyerjes së detyrimeve, janë më të shpejta dhe me më pak kosto në krahasim me llojet e tjerë të kolateraleve apo garancive të ofruara. Kjo, në përgjithësi, reflektohet në rrezik më të ulët dhe normë më të vogël të interesit për kreditë e siguruara me bono thesari dhe obligacione.
Megjithatë, duket qartë se ky lloj kolaterali përdoret shumë, qoftë sepse njihet pak si alternativë nga huamarrësit, por edhe për shkak të disa problematikave që kanë bankat në rastet kur i sigurojnë huatë me këto instrumente.
Një prej problemeve është i lidhur me vlerën e tregut të titullit të ofruar si kolateral. Nëse në momentin e ekzekutimit të pasurisë vlera e tregut ka rënë nën vlerën e detyrimit që klienti ka ndaj bankës, atëherë një pjesë e detyrimit mund të mbetet e pambuluar.
Për të shmangur këtë problem, përveç koeficientit të mbulimit pak më të lartë se vlera e kredisë, bankat kryejnë kontrolle periodike të vlerave të tregut të kolateraleve në tituj. Në momentin që konstaton se vlera e kolateralit të ofruar ka rënë nën limitin e lejueshëm, banka ka të drejtë të kërkojë nga klienti shtimin e vlerës së kolateralit.
Sipas bankierëve, çështjet të tjera që kërkojnë përmirësime dhe qartësime janë mundësia e regjistrimit të bllokimit të titullit në favor të bankës në regjistrin e titujve. / E.Shehu

Leave a Reply