Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se çmimet e prodhimit dhe të mallrave të importuara vazhduan të rriten gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, duke reflektuar presione në rritje mbi kostot në ekonominë e vendit.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit shënoi një rritje mesatare vjetore prej 4,6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërkohë që në bazë tremujore rritja ishte 0,9%. Ndër sektorët me shtrenjtimin më të ndjeshëm spikaten furnizimi me ujë me 32,2%, prodhimi i pijeve me 20,1% dhe industria e letrës me 14,7%. Rritje të konsiderueshme u regjistruan gjithashtu në produktet e gomës, plastikës, materialeve minerale jometalike dhe ushqimit të përpunuar. Nga ana tjetër, prodhimi i veshjeve dhe i lëkurës shënoi rënie çmimesh.
Edhe te importet u vërejtën presione të ngjashme. Indeksi i Çmimeve të Importit u rrit me 1,4% krahasuar me tremujorin paraardhës dhe me 2,6% në terma vjetorë. Produktet minerale regjistruan rritjen më të lartë vjetore me 12,7%, ndërkohë që plastika, materialet e ndërtimit dhe tekstili u shtrenjtuan ndjeshëm. Në kahun e kundërt, produktet bimore dhe instrumentet optike shënuan rënie çmimesh krahasuar me vitin e kaluar.
Foto: Paul-Christian M / Unsplash

Leave a Reply