Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka shpallur fituesin e procedurës për studim-projektimin e fazës së katërt të furnizimit me ujë të zonave bregdetare Draleos, Drimadhë dhe Dhërmi. Kompania e zgjedhur paraqiti një ofertë prej 18.2 milionë lekësh pa TVSH, që përfaqëson 87.5 për qind të fondit limit prej 20.8 milionë lekësh.
Kontrata nuk përfshin ndërtimin e infrastrukturës, por hartimin e projektit teknik, i cili do të përcaktojë zgjerimin e linjës së transmetimit, rrjetin e shpërndarjes, depot e reja dhe veprat mbështetëse. Faza IV vjen pas tre fazave të mëparshme, të cilat kanë siguruar ujin nga burimi i Izvorit në Tragjas dhe kanë çuar linjën e transmetimit deri në dalje të tunelit të Llogarasë.
Furnizimi aktual i zonave mbështetet te burime me kapacitet të kufizuar, që bien ndjeshëm gjatë sezonit veror. Projektuesi duhet të paraqesë dy variante hidraulike me analiza teknike dhe ekonomike, ndërsa varianti final do të miratohet nga këshilli teknik. Detyra përfshin studimet topografike dhe gjeologo-inxhinierike, modelimin hidraulik, sistemet e klorinimit dhe monitorimit, si dhe dokumentacionin për leje ndërtimi. Afati i parashikuar për përfundimin e shërbimit është gjashtë muaj.

Leave a Reply