Gazetarja dhe aktivistja Elsa Demo ka mbajtur një fjalim të ashpër gjatë protestës para Kryeministrisë, duke adresuar një sërë çështjesh sociale, mjedisore dhe kulturore që, sipas saj, karakterizojnë situatën aktuale në vend.
Duke filluar me zonën e Patos-Marinzës, Demo theksoi se kjo zonë simbolizon papunësinë dhe kushtet e vështira të punës, ku të rinjtë detyrohen të pranojnë marrëveshje pune të padenjë, ndërkohë që kompania Bankers Petroleum mbetet, sipas saj, jashtë çdo llogaridhënieje reale.
Ajo u ndal gjerësisht te shembja e Teatrit Kombëtar, duke e paraqitur si pikënisje të një sërë procesesh shkatërrimtare. Ndër to, Demo përmendi djegien e pyjeve në Darëzezë dhe Pishporo për të hapur rrugën ndërtimeve turistike, shtimin e betonit në zonat e mbrojtura, si dhe neglizhencën ndaj trashëgimisë kulturore dhe varreve.
Kritika të forta drejtoi edhe ndaj mediave të mëdha, të cilat i akuzoi se kanë kaluar në shërbim të propagandës institucionale, duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bojkotojnë.
Demo mbyll fjalimin me një kritikë ndaj asaj që cilëson si korruptim i elitës intelektuale, e cila sipas saj është neutralizuar nëpërmjet privilegjeve dhe favoreve politike.

Leave a Reply