Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të hapur ndaj ndalimeve reciproke të hyrjes së gazetarëve mes Serbisë dhe Malit të Zi, duke paralajmëruar se masa të tilla bien ndesh me vlerat themelore që priten nga vendet kandidate për anëtarësim.
Komisioni Evropian, nëpërmjet një zëdhënësi, ka theksuar se liri e shtypit dhe e shprehjes janë kushte të patjetërsueshme në rrugën drejt integrimit evropian. Sipas tij, gazetarët duhet të jenë të lirë të ushtrojnë profesionin e tyre pa kufizime të pajustifikuara, ndërsa vendet e zgjerimit janë të detyruara të respektojnë parimet demokratike.
Brukseli tha se po e ndjek nga afër situatën dhe u bëri thirrje Beogradit e Podgoricës të shmangin hapat që mund të rrisin tensionet, duke i inkurajuar të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Kriza nisi pasi autoritetet malazeze i ndaluan hyrjen kryeredaktorit të tabloidit serb Informer, duke nxitur masa reciproke nga ana e Beogradit. Që atëherë, disa gazetarë malazezë kanë hasur ndalesa në kufi, ndërkohë që organizata ndërkombëtare si Reporterët pa Kufij dhe Federata Evropiane e Gazetarëve kanë kërkuar shfuqizimin e menjëhershëm të këtyre masave.

Leave a Reply