Sektori publik rezultoi motori kryesor i punësimit gjatë vitit 2025, ndërsa degët tradicionale të ekonomisë shënuan rënie të ndjeshme në peshën e tyre ndaj totalit të të punësuarve, sipas të dhënave të INSTAT.
Administrata dhe shërbimet publike zgjeruan pjesën e tyre në strukturën e punësimit nga 17.1% në 21.7%, duke shënuar rritjen më të lartë me 4.6 pikë përqindjeje. Kjo tendencë konfirmon orientimin gjithnjë e më të madh të fuqisë punëtore drejt sektorit shtetëror, i cili po absorbon burime njerëzore nga degë të tjera të ekonomisë. Në vitin 2025, sektori publik numëronte mbi 185 mijë punonjës, me shpenzime buxhetore për personelin prej 125.7 miliardë lekësh.
Bujqësia shënoi tkurrjen më të madhe, duke zbritur nga 36.7% në 33.8%, me një rënie prej 2.9 pikë përqindjeje, duke konfirmuar largimin e vazhdueshëm të forcës së punës nga aktivitetet rurale. Tregti, transporti dhe hoteleria ranë lehtë në 25.2%, ndikuar nga informaliteti dhe sezonaliteti. Industria dhe ndërtimi regjistruan gjithashtu shenja stagnimi.
Paradoksalisht, ndërsa popullsia e vendit ka rënë me 22% që nga viti 2002, duke arritur në rreth 2.36 milionë banorë, numri i punonjësve publikë mbetet pothuajse i pandryshuar, duke ngritur pyetje mbi efikasitetin e administratës në raport me nevojat aktuale.

Leave a Reply