Aktivistja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Lindita Komani, ka rikujtuar shembjen e Teatrit Kombëtar gjatë periudhës së pandemisë, duke theksuar se rezistenca e atëhershme hodhi themelet e një ndërgjegjësimi qytetar që vijon deri më sot. Sipas saj, ajo qëndresë i forcoi qytetarët dhe u bë frymëzim i drejtpërdrejtë për lëvizjen “Flamingo”.
Komani theksoi se më 27 korrik 2019, tre ditë pas hyrjes në godinë, u hap zyrtarisht Festivali për Mbrojtjen e Teatrit, me mbi 70 aktivitete që përfshinin art, letërsi dhe shfaqje teatrale. Për dhjetë muaj, teatri u administrua nga vetë qytetarët, në atë që ajo e cilësoi si “eksperimentin më të bukur”. Aktivistja shtoi se protestat vijuan 720 ditë në shesh publik dhe nuk u ndërprenë as pas shembjes së godinës, duke u zgjeruar drejt SPAK-ut dhe institucioneve ndërkombëtare.
“Ata nisën ta shembnin teatrin me njerëz brenda dhe menduan se vranë edhe shpresën”, deklaroi Komani, duke shtuar se pikërisht aty nisi, sipas saj, fundi i karrierës politike të kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj.

Leave a Reply