Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Projektligji mori mbështetjen unanime të 91 deputetëve që morën pjesë në votim, pas shqyrtimit dhe debatit në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit. Miratimi në parim i hap rrugë vijimit të procedurave parlamentare për shqyrtimin e mëtejshëm të nismës.
Më herët, projektligji ishte miratuar edhe në Komisionin për Legjislacion, duke kaluar kështu fazën fillestare të shqyrtimit parlamentar.
Jashtë objektit të Kuvendit vijoi protesta e veteranëve të UÇK-së dhe mbështetësve të nismës, të cilët kishin kërkuar miratimin e ndryshimeve ligjore. Gjatë zhvillimit të seancës janë raportuar edhe tensione pranë Kuvendit, përfshirë hedhjen e mjeteve piroteknike.
Me votimin e sotëm, projektligji hyn në fazat e mëtejshme të procedurës parlamentare, përpara shqyrtimit dhe miratimit përfundimtar.


Leave a Reply