Vendet e Ballkanit Perëndimor po shpenzojnë shuma gjithnjë e më të larta për të nxitur lindshmërinë, por rezultatet demografike vazhdojnë të zhgënjejnë. Të dhënat tregojnë se rajoni ka shënuar rënie të ndjeshme të lindjeve gjatë tre dekadave të fundit, me Shqipërinë në krye të kësaj tendence në shkallë europiane. Që nga viti 1997, numri i lindjeve në Shqipëri është tkurrur me 63.5%, nga 61,700 në rreth 22,500 në vit, një rënie që nuk ka të barabartë në asnjë vend tjetër të kontinentit.
Pavarësisht kësaj, qeveritë e rajonit kanë zgjeruar ndjeshëm skemat e mbështetjes financiare për familjet. Serbia ofron deri në 27,000 euro për fëmijën e katërt, ndërsa vendet e tjera kanë shtuar bonuse lindjeje, shtesa mujore dhe lehtësi të tjera. Megjithatë, asnjë prej këtyre masave nuk ka arritur të ndryshojë prirjen kryesore. Sot, i gjithë Ballkani Perëndimor ka zbritur nën nivelin e zëvendësimit të popullsisë, me norma fertiliteti që luhaten mes 1.49 dhe 1.75 fëmijëve për grua. Ekspertët theksojnë se emigracioni i të rinjve, plakja e popullsisë dhe kostoja e lartë e jetesës mbeten pengesa strukturore që bonuset financiare, të izoluara nga politika të tjera gjithëpërfshirëse, nuk mund t’i kapërcejnë dot.
Foto: Christian Lue / Unsplash

Leave a Reply