“Baby Bonus” ka mbështetur financiarisht mijëra familje shqiptare që nga viti 2019, por nuk ka arritur të frenojë rënien e ndjeshme të lindjeve. Skema, e fokusuar në një pagesë njëherëzhe pas lindjes, nuk zëvendëson mungesën e mbështetjes së vazhdueshme që familjet kanë nevojë gjatë viteve të rritjes së fëmijës. Emigracioni, pasiguria ekonomike, rritja e kostos së jetesës dhe mungesa e shërbimeve për familjet e reja e bëjnë krizën demografike shumë më komplekse sesa mund ta zgjidhë një çek i vetëm.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2025 u regjistruan 22.541 lindje, që përfaqëson një rënie prej 3,3% krahasuar me 2024-ën. Rënia arrin në 31,1% krahasuar me vitin 2015, kur u regjistruan 32.715 lindje. Nga viti 2019 deri në 2025, Shërbimi Social Shtetëror ka shpërndarë gjithsej 260.030 bonus.
Sociologia Marsida Simo është skeptike ndaj efektit afatgjatë të masës. Sipas saj, çiftet e reja përballen me vështirësi ekonomike serioze, mungojnë çerdhet dhe shërbimet shëndetësore, ndërsa rroga të ulëta ndikojnë drejtpërdrejt në vendimin për të pasur fëmijë. Institucionet konfirmojnë se po shqyrtohen skenarë për ristrukturimin e programit, me synimin për të forcuar mbështetjen ndaj familjeve me fëmijë.
Foto: Sandy Millar / Unsplash

Leave a Reply