Pavarësisht kalimit në shtator, Shqipëria vazhdon të ndeshet me një situatë të vështirë zjarrësh në disa zona të vendit. Gjatë ditës së sotme janë evidentuar gjithsej 21 vatra zjarri në të gjithë territorin kombëtar, nga të cilat 5 mbeten ende aktive, 9 janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme dhe 7 janë shuar plotësisht.
Vatrat më shqetësuese janë përqendruar në qarqet Dibër, Shkodër dhe Fier, ku flakët po luftohen nga qindra forca operacionale vendore dhe efektivë të Forcave të Armatosura. Në total, 324 forca vendore dhe 92 ushtarakë janë angazhuar në terren, të mbështetur nga 17 automjete zjarrfikëse, dron dhe mjete të tjera teknike.
Në Tiranë, zjarri që kishte shpërthyer në Malin e Dajtit është shuar, ndërsa vatra në Malin me Gropa mbahet nën kontroll. Autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk raportohet asnjë rrezik për zonat e banuara në asnjë prej zonave të prekura. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në koordinim me prefekturat dhe bashkitë, duke mbajtur të gjitha kapacitetet operacionale në gatishmëri të plotë.
Foto: Tom Gainor / Unsplash

Leave a Reply