Çështja e strehimit në Tiranë vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha për shtresën e mesme, si në tregun e shitblerjes ashtu edhe në atë të qirave afatgjata. Në këtë kontekst, Kryeministri Edi Rama njoftoi një program të ri subvencionimi, i cili parashikon mbulimin e 50% të qirasë mujore për çiftet e reja dhe emigrantët e rikthyer në atdhe, me një kufi maksimal prej 200 eurosh në muaj. Programi, që pritet të nisë me thirrjen e parë në dhjetor 2026 dhe të zbatohet gjatë vitit 2027, do të përfshijë fillimisht rreth 3 mijë përfitues dhe do të mbulojë apartamente me qira deri në 400 euro në muaj.
Megjithatë, të dhënat e agjencive imobiliare tregojnë se çmimi mesatar i qirave në Tiranë ka arritur në 721 euro në muaj deri në qershor 2026, duke e bërë banesën të papërballueshme për shumicën e qytetarëve. Për ta mbuluar këtë kosto, një punëmarrës me pagë mesatare do të duhej të shpenzonte afërsisht 97% të të ardhurave neto mujore. Vetëm tre zona periferike, Kinostudio, Fresku dhe Kombinati, ofrojnë qira nën kufirin e 400 eurove të parashikuar nga programi qeveritar.
Foto: Melrose By The Lake / Unsplash

Leave a Reply