Qeveria shqiptare ka hartuar një projektligj që synon të reformojë mënyrën e administrimit të objekteve të konfiskuara, duke parashikuar krijimin e një fondi të posaçëm për përfundimin e punimeve në ndërtimet e papërfunduara. Drafti, pasi u miratua nga Këshilli i Ministrave, është depozituar për shqyrtim në Kuvend.
Sipas dokumentit shoqërues të projektligjit, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka marrë në administrim 26 objekte. Nga këto, pesë janë shitur duke gjeneruar rreth 3.5 milionë euro, ndërsa dy të tjera u janë kaluar institucioneve publike. Për tre objekte janë lidhur kontrata premtim-shitjeje, kurse tre të tjera janë në proces negocimi me subjektin “Xhelux”, i cili ka paguar 10 për qind të vlerës totale, me pritje për rreth 9 milionë euro të tjera.
Projektligji, i përbërë nga 26 nene, synon gjithashtu mbrojtjen e blerësve me kontrata porosie, trajtimin e kontratave të kleringut dhe njohjen e të drejtave të pronarëve të truallit. Subjektet që vetëdeklarojnë ndërtime pa leje brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit do të përfitojnë të drejtën e parablerjes.
Foto: Artful Homes / Unsplash

Leave a Reply