Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj që synon të reformojë mënyrën e administrimit, regjistrimit dhe disponimit të pronave shtetërore në Shqipëri. Nismë e qeverisë parashikon krijimin e një kuadri të unifikuar ligjor që ndan qartë pronat sipas natyrës dhe destinacionit të tyre.
Drafti vendos në kategorinë e pronave publike të patjetërsueshme vijën bregdetare, rërën, plazhin, ujërat territoriale, shtretërit e lumenjve, liqenet, lagunat si dhe burimet natyrore dhe rezervat minerare. Për këto pasuri ligji nuk lejon kalim pronësie, as nëpërmjet parashkrimit fitues. Subjektet private mund të gëzojnë vetëm të drejtën e përdorimit, nën kushtet që ligji përcakton.
Pronat shtetërore jopublike, si toka bujqësore, trojet dhe ndërtesat, do t’i nënshtrohen rregullave të Kodit Civil, në kushte të barabarta me pronën private.
Për disponimin ekonomik, drafti parashikon procedura konkurruese, duke përfshirë shitjen me ankand, shkëmbimin, dhënien me qira dhe enfiteozën. Një dispozitë e veçantë lejon kalimin e pronës shtetërore në pronësi private brenda planeve vendore të zhvillimit, me kusht që pjesa shtetërore të mos kalojë 20 përqind të sipërfaqes totale që zhvillohet. Detajet operative i lihen Këshillit të Ministrave.
Foto: mandylin / Unsplash

Leave a Reply