Remitancat shënuan një rekord të ri historik në gjashtëmujorin e parë të vitit, duke arritur në 621 milionë euro. Ky tregues shënon një rritje prej 16.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë. Rritja më e ndjeshme u regjistrua në tremujorin e dytë, ku prurjet arritën në 347 milionë euro, me një zgjerim vjetor prej 24%.
Ekspansioni i dërgesave nga emigrantët ecën paralelisht me shtimin e vazhdueshëm të numrit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Që nga viti 2013, remitancat kanë ndjekur një prirje pothuajse të pandërprerë rritëse, me përjashtim të vitit 2020, kur pandemia shkaktoi një rënie të përkohshme. Pas kësaj periudhe, flukset u rikthyen me ritme edhe më të shpejta.
Të dhënat e INSTAT konfirmojnë se migrimi neto ka mbetur negativ gjatë gjithë periudhës 2011-2025, me mesatarisht 30 deri 40 mijë të larguar neto në vit. Vetëm pas pandemisë, mbi 166 mijë shqiptarë kanë lënë vendin. Destinacionet tradicionale si Greqia dhe Italia mbeten burimet kryesore të remitancave, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania po fitojnë gjithnjë e më shumë peshë në këtë panoramë.
Foto: Jason Leung / Unsplash

Leave a Reply