Turizmi po nxit zgjerimin e rrjetit të bankomateve në vend, duke kontribuar në një rritje prej 30% të numrit të ATM-ve që nga fillimi i vitit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të vitit ishin aktivë 1.414 terminale ATM, duke shënuar një rritje prej 16.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, rritja e numrit të bankomateve nuk shoqërohet me një rritje proporcionale të tërheqjeve cash, të cilat u shtuan me vetëm 0.6%, duke arritur në pak mbi 11 milionë transaksione gjatë gjashtëmujorit të parë. Kjo tendencë konfirmon një zhvendosje të qartë drejt pagesave direkte me kartë në terminalet POS, të cilat shënuan rritje prej 28% krahasuar me një vit më parë.
Në të kundërt, shërbimi i depozitimit të parasë cash në ATM po njeh rritje të ndjeshme. Gjatë gjashtë muajve të parë u regjistruan 1.38 milionë depozitime, duke u rritur me 70% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa vlera totale arriti në 68.6 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 82%. Automatizimi i këtij shërbimi po lehtëson flukset në degët bankare dhe po pakëson nevojën për ndërhyrje të stafit, duke modernizuar gjithnjë e më shumë ofrimin e shërbimeve financiare.
Foto: Nick Pampoukidis / Unsplash

Leave a Reply