Projekti i parkut eolik në Tropojë, i zhvilluar nga kompania “Eralb Invest 2”, ka përfunduar një tjetër fazë të rëndësishme procedurale, pasi mori deklaratën mjedisore për një kapacitet të instaluar prej 366 megavatësh. Dokumenti u lëshua më 15 korrik 2026 dhe mbulon instalimin e 60 turbinave me fuqi 6.1 MW secila, me një prodhim neto të parashikuar prej 713.5 GWh energji elektrike në vit.
Projekti është pjesë e një investimi më të gjerë me vlerë rreth 1.2 miliardë euro, i cili kishte fillimisht statusin “Projekt me Potencial Strategjik” dhe parashikonte një kapacitet total prej 636 MW, si dhe një park fotovoltaik prej 190 MW. Pas disa fazave rikonfigurimi dhe vonesash, deklarata e fundit mjedisore i referohet konfigurimit të reduktuar prej 366 MW.
Autoritetet sqarojnë se dokumenti nuk përbën leje përfundimtare, por hap rrugën drejt fazave të mëtejshme procedurale, me kusht respektimin e kërkesave mjedisore. Bashkia Tropojë ka dhënë miratimin në parim, duke e cilësuar projektin si me interes për zhvillimin ekonomik të zonës. Megjithatë, nëse zbatimi në terren nuk fillon brenda dy viteve, deklarata mjedisore humbet automatikisht vlefshmërinë dhe e gjithë procedura duhet të rifillojë nga e para.
Foto: Thomas Réaubourg / Unsplash

Leave a Reply