Prej rreth dy vitesh, Shqipëria po zbaton një model të ri financimi për infrastrukturën publike, ku shteti vë në dispozicion prona dhe investitori privat ndërton objektet e nevojshme shtetërore në këmbim të të drejtës për zhvillim tregtar. Skema, e koordinuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve, synonte të kursente buxhetin publik dhe të siguronte godina moderne për institucione të shpërndara nëpër ndërtesa të vjetra ose me qira.
Nga 15 projektet e shpallura deri tani, vetëm katër kanë arritur në lidhje kontrate: rijetëzimi i stadiumit “Selman Stërmasi”, Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, Vila qeveritare e Vlorës dhe Korpusi i Inspektorateve me shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli”. Disa të tjera kanë fitues të njoftuar, por kontrata ende nuk është formalizuar. Pjesa e mbetur e projekteve ka kaluar nëpër anulime të njëpasnjëshme, rishpallje dhe reduktime kriteresh, pa gjetur interes nga tregu privat.
Rastet e LIFT Tower dhe Bibliotekës Kombëtare, të shpallura disa herë pa asnjë aplikant, ngrenë pyetje të hapura mbi kushtet e garës, shpërndarjen e rrezikut dhe tërheqjen reale të modelit për investitorët. Bilanci i deritanishëm sugjeron se mekanizmi funksionon vetëm në kushte specifike dhe jo si formulë e përgjithshme.
Foto: Cầu Đường Việt Nam / Pexels

Leave a Reply