Rreth 2.3 milionë euro janë parashikuar për punime mbrojtëse kundër përmbytjeve dhe gërryerjeve në lumenjtë Devoll dhe Osum, nëpërmjet një tenderi të ndarë në tre lote që mbulojnë bashkitë Cërrik, Devoll dhe Berat. Fondi total limit i procedurës arrin në 228.9 milionë lekë.
Loti i parë, me fond 31.9 milionë lekë, parashikon mbrojtjen e brigjeve të lumit Devoll në zonën e Desarës, bashkia Cërrik, përmes gabionave dhe blloqeve betoni, duke përfshirë edhe riparimin e strukturave ekzistuese të dëmtuara.
Loti i dytë, me vlerë 94.7 milionë lekë, ka në fokus fshatin Bitinckë në Devoll, ku një segment prej rreth 800 metrash është i ekspozuar ndaj gërryerjeve intensive. Ndërhyrja parashikon mbrojtje gjatësore me themele gurësh masivë, gabiona dhe rrjetë teli të zinkuar përgjatë bregut perëndimor të Devollit.
Loti i tretë është ndërhyrja me vlerën më të lartë, 102.3 milionë lekë, dhe përfshin mbrojtjen e lagjes Bejtollarët në Berat nga përmbytjet dhe erozioni i lumit Osum. Punimet parashikojnë gërmime, sistemim brigjesh, ndërtim strukturash mbrojtëse me gabiona dhe mure mbajtëse, si dhe stabilizim skarpatesh për të disiplinuar rrjedhën e ujit.
Foto: Justin Wilkens / Unsplash

Leave a Reply