Pelegrinazhi i madh bektashian në Malin e Tomorrit ka nisur zyrtarisht dhe do të zgjasë për një javë të plotë, nga 18 deri më 25 gusht 2026. Festiviteti pritet të mbledhë rreth 600 mijë besimtarë dhe vizitorë nga Shqipëria, diaspora dhe e gjithë bota, të cilët do të udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të nderuar festën e Baba Tomorrit.
Për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe qarkullimin e rregullt të mjeteve e këmbësorëve, Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka hartuar një plan të detajuar masash, në bashkëpunim me komisariatet e Beratit, Kuçovës dhe Skraparit, si dhe me institucione të tjera shtetërore e fetare. Janë vendosur itinerare të detyrueshme për ngjitje dhe zbritje, ndërsa mjetet e tonazhit të rëndë do të jenë të ndaluara në akset kryesore rrugore nga ora 06:00 deri në 24:00, gjatë gjithë periudhës së pelegrinazhit.
Teqeja e Kulmakut është përgatitur që prej ditëve të fundit, duke siguruar çadra, ujë të pijshëm, ndriçim dhe sanitare për pelegrinët. Në malin që ngrihet 2.416 metra mbi nivelin e detit, besimtarët kryejnë ritet fetare, falen për shëndet e paqe dhe bëjnë kurban një qengj për familjet e tyre.
Foto: Kuldeep Singh / Pexels

Leave a Reply