Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike ka parashikuar një sërë investimesh teknologjike për periudhën 2026-2027, që synojnë modernizimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e menaxhimit të rrjetit. Ndër prioritetet kryesore të programit të rishikuar renditen sistemet e reja të monitorimit, softueri për analizën e rrjetit dhe matësit inteligjentë.
Një nga ndërhyrjet e planifikuara është përditësimi i platformës PowerFactory, e cila shërben për modelimin dhe analizën teknike të sistemit elektrik, si dhe konfigurimi i sistemeve SCADA në 14 nënstacione, për monitorim dhe kontroll në distancë të parametrave të rrjetit.
Në fushën e matjes, OSSH parashikon instalimin e matësve inteligjentë për konsumatorët e lidhur me kabina të pajisura me sisteme të matjes së bilancit, duke i integruar ato në platformën MDM. Sipas operatorit, ky investim do të rrisë saktësinë e matjes dhe do të përmirësojë monitorimin e humbjeve teknike e joteknike.
Në komunikimin me Autoritetin Rregullator të Energjisë, OSSH ka sqaruar se ndryshimet e bëra kanë të bëjnë kryesisht me shpërndarjen në kohë të projekteve dhe kostot, pa prekur standardet teknike të investimeve. Operatori thekson se ndërhyrjet synojnë t’i përshtasin parametrat e investimeve me nevojat reale të rrjetit.
Foto: Arthur Lambillotte / Unsplash

Leave a Reply