Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat për muajin korrik, të cilat tregojnë se inflacioni vjetor ka arritur në 6.5 për qind, ndërsa krahasuar me qershorin çmimet janë ngjitur me 0.6 për qind.
Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, sektori i transportit ka shënuar rritjen më të lartë vjetore, me 17.8 për qind. Pas tij renditet grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse, me rritje prej 11.1 për qind. Pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët, si dhe shërbimet e restoranteve dhe akomodimit, kanë shënuar secili rritje vjetore prej 5.3 për qind. Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, një ndër kategoritë me peshë të lartë në buxhetin familjar, janë rritur me 2.7 për qind.
Edhe në baza mujore transporti ka dominuar, me rritje prej 4.3 për qind, i ndjekur nga rekreacioni dhe kultura me 1.9 për qind.
Megjithatë, disa kategori kanë shënuar rënie. Ushqimet dhe pijet joalkoolike kanë zbritur me 1.0 për qind në krahasim me qershorin, ndërsa arsimi ka regjistruar rënie vjetore prej 0.5 për qind, duke ofruar lehtësim të pjesshëm për konsumatorët.
Foto: Markus Winkler / Pexels

Leave a Reply