Kostoja e jetesës në Shqipëri vijoi të rritet gjatë muajit korrik, me inflacionin që arriti në 3.4%, nga 3.2% që shënoi muajin paraardhës, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Ky është niveli më i lartë që nga janari i vitit 2024 dhe shënon dy muaj radhazi mbi objektivin prej 3% të vendosur nga Banka e Shqipërisë.
Ndikimet kryesore në këtë rritje erdhën nga ushqimet dhe pijet joalkoolike me +1.18 pikë përqindje, qiratë dhe energjia me +0.83 pikë përqindje, si dhe transporti me +0.52 pikë përqindje. Vetëm grupet e veshmbathjes dhe komunikimit shënuan rënie të lehta çmimesh.
Pavarësisht këtyre treguesve, Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%. Guvernatori Sejko deklaroi se efektet inflacioniste pritet të jenë kalimtare, ndërkohë që shtrenjtimi i qirave identifikohet si faktori kryesor i presionit të brendshëm.
Situata e qirave mbetet veçanërisht shqetësuese. Në Tiranë, qiratë mesatare për apartamentet 2+1 arritën në 954 euro në muaj gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Në 13 zona të kryeqytetit, kostoja e strehimit tejkalon 80-90% të të ardhurave mujore, duke e bërë situatën të papërballueshme për shumë familje.

Leave a Reply