Euroja ka shënuar sërish rënie në tregun valutor shqiptar, duke u këmbyer me 93.07 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë — niveli më i ulët historik që nga hyrja e saj në qarkullim si monedhë fizike. Që nga fillimi i vitit 2026, monedha europiane ka humbur 3.8% ndaj lekut, ndërsa krahasuar me rekordin historik të shkurtit 2011, kur këmbehej me 140.4 lekë, rënia arrin në 34%.
Agjentët e këmbimit valutor vënë në dukje se tregu ndikohet aktualisht nga prurjet e sezonit turistik, i cili po arrin pikun e tij. Megjithatë, dobësimi i euros nuk është thjesht fenomen sezonal. Ai vijon një tendencë rënëse të nisur që në muajt e parë të vitit. Investimet e huaja direkte për tremujorin e parë të 2026 arritën vlerën rekord prej 404 milionë eurosh, me rritje 11.6%, ndërsa deficiti i llogarisë korrente u tkurr me 28%, duke zbritur në 228 milionë euro.
Suficiti buxhetor për gjashtëmujorin e parë të 2026 arriti vlerën rekord prej 52.8 miliardë lekësh. Banka e Shqipërisë po ndërhyn rregullisht në treg duke blerë valutë — vetëm këtë javë ka ndërhyrë dy herë — por pa arritur të frenojë plotësisht rënien. Që nga fillimi i 2024, banka qendrore ka blerë rreth 2.2 miliardë euro.

Leave a Reply