Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike një pasqyrë të përditësuar të gjendjes së zjarreve në të gjithë vendin, duke vlerësuar situatën në tërësi si të stabilizuar dhe nën kontroll.
Strukturat e Mbrojtjes Civile po vijojnë punën në disa vatra aktive, teksa zonat e prekura mbeten nën monitorim të vazhdueshëm. Autoritetet nuk raportojnë rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun e Tiranës, monitorimi vazhdon pranë fabrikës së ujit në Selitë të Dajtit, ndërsa në Cikallesh të Kavajës zjarri mbetet aktiv, por i menaxhueshëm. Në këtë zonë janë angazhuar edhe mjete ajrore të Forcave të Armatosura. Në Priskë të Madhe punohet për neutralizimin e disa vatrave të vogla.
Në qarkun e Fierit, zjarri që kishte përfshirë zonën Riban–Ngraçan–Panahor–Ndrenie–Vlosht në Mallakastër është vënë nën kontroll. E njëjta gjendje vërehet edhe për zjarrin që kishte avancuar nga Hekali drejt zonës Koilac–Greshicë.
Në qarkun e Durrësit, situata në Abaze të Krujës është stabilizuar plotësisht, me disa vatra të vogla me tym që mbeten ende në terren. Për menaxhimin e kësaj zone janë mobilizuar dy helikopterë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 12 efektivë të MZSH Krujë.

Leave a Reply