Rritja e vazhdueshme e çmimeve të qirave në Tiranë po rëndon gjithnjë e më shumë buxhetet e familjeve me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Grejsi, 35 vjeçe nga Librazhdi, e ndjen këtë presion çdo muaj: paguan 450 euro qira për një apartament në zonën e Freskut, ndërsa paga e saj neto si ndihmëse parukiere nuk kalon 60 mijë lekë. Si nënë e vetme pas divorcit, ajo mbështetet edhe tek prindërit për të mbajtur familjen. Nëse gjendja nuk përmirësohet, planifikon të transferohet në Durrës, ku familja po ndërton një shtëpi.
Sipas standardeve ndërkombëtare, strehimi konsiderohet i përballueshëm kur nuk tejkalon 30 përqind të të ardhurave mujore neto. Të dhënat e mbledhura nga revista “Monitor” tregojnë se ky kufi tejkalohet në 13 zona të Tiranës. Duke u nisur nga paga neto mesatare prej 740 eurosh, e regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2026, rezulton se një individ i vetëm nuk arrin të mbulojë koston e strehimit me qira në asnjë zonë të kryeqytetit. Në zonat qendrore si ish-Blloku dhe rrethinat e stadiumit “Air Albania”, qiraja arrin deri në 95 dhe 100 përqind të të ardhurave mujore, duke e kthyer strehimin në një barrë të pashmangshe financiare.

Leave a Reply