Familja e Elizabeth Jane Ross, e njohur si Lisa, britanikja 38-vjeçare trupи e së cilës u zbulua brenda një valixheje në një ndërtesë të braktisur në lagjen Kypseli të Athinës, ka dalë publikisht me një deklaratë pas kësaj ngjarjeje të rëndë. Të afërmit e përshkruan atë si një grua me vlera të larta njerëzore, të përkushtuar ndaj shërbimit për të tjerët. “Lisa do të mbahet mend si një person i sjellshëm, i ndershëm dhe vetëmohues. Integriteti i saj ishte i pakompromis dhe ajo ia kushtoi jetën ndihmës ndaj atyre në nevojë”, thuhet në deklaratën e cituar nga rrjeti skocez STV News. Familja kërkoi gjithashtu që privatësia e tyre të respektohet gjatë kësaj periudhe zie.
Hetimet për rrethanat e vdekjes së saj po vijojnë nga autoritetet greke. Në paraburgim ndodhet një 26-vjeçar afgan, Sharif Ahmadzai, i akuzuar për vrasje me dashje, grabitje dhe shkelje të legjislacionit për armët. I dyshuari ka zgjedhur heshtjen gjatë procedurës, ndërkohë që avokati i tij ka bërë të ditur se dosja hetimore nuk është mbyllur ende. Ahmadzai mohon të ketë kryer vrasjen, duke pretenduar se e gjeti të ndjerën të pajetë dhe se nga paniku vendosi të zhvendoste trupin.

Leave a Reply