Senati amerikan ka dhënë dritën jeshile për emërimin e Eric P. Wendt si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Kandidatura e tij u miratua me 50 vota pro dhe 44 kundër, pas konfirmimit paraprak nga Komiteti Senatorial për Marrëdhëniet me Jashtë. Hapi i fundit i procedurës mbetet nënshkrimi i Presidentit Donald Trump, pas të cilit Wendt pritet të udhëtojë drejt Tiranës dhe të fillojë detyrën zyrtarisht me dorëzimin e letrave kredenciale.
Wendt do të zërë postin që mbeti vakant prej vitit 2023, kur ambasadorja Yuri Kim përfundoi mandatin e saj. Që atëherë, misioni diplomatik amerikan në kryeqytetin shqiptar është drejtuar nga të ngarkuar me punë.
I diplomuar në Universitetin e Kalifornisë dhe me studime pasuniversitare në sigurinë kombëtare, Wendt ka mbi tre dekada shërbim ushtarak, pjesën më të madhe në forcat speciale “Green Beret”. Ai ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s dhe si koordinator i sigurisë së SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez gjatë viteve 2017–2019. Gjatë mandatit të parë të Trump, ai ishte propozuar për ambasador në Katar, por konfirmimi nuk u finalizua.

Leave a Reply