Në ambientet e Publik Galerisë në Tiranë, një hapësirë e ngritur mbi një pasuri të konfiskuar, është inauguruar ekspozita “Thurja e Qilimave”, e cila prezanton punime artizanale të prodhuara nga gra të angazhuara në sipërmarrjen sociale “Tradita ime Artizanale”. Galeria administrohet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK.
Punimet e ekspozuara — qilima, sixhade dhe objekte të tjera tradicionale me motive të trashëgimisë kulturore shqiptare — prodhohen në një pronë tjetër të konfiskuar në Elbasan, ku sipërmarrja sociale është aktive prej disa vitesh. Modeli krijon kështu një lidhje funksionale ndërmjet dy aseteve të konfiskuara: njërit si qendër prodhimi dhe punësimi, tjetrit si hapësirë promovimi.
Kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja, theksoi se prona të tilla nuk duhet të mbeten asete të ngrira, por t’u kthehen komuniteteve. Ndërkaq, Saimir Bakalli nga Fondacioni Joscelyn tha se qëllimi është ta shndërrojë artin tradicional në të ardhura të qëndrueshme për artizanet dhe familjet e tyre.
Ekspozita mund të vizitohet deri më 4 shtator 2026, nga e hëna në të premte, nga ora 09:00 deri në 17:00, në rrugën “Hasan Alla” në Tiranë.

Leave a Reply