Një hartë e publikuar në kuadër të propozimeve për reformën territoriale, bazuar në të dhënat e INSTAT për periudhën 2011–2023, zbulon se fenomeni i braktisjes së territorit është i përhapur në pothuajse të gjithë vendin. Sipërfaqja e klasifikuar si e braktisur arrin rreth 13 për qind të territorit kombëtar, ose afërsisht 1.519 kilometra katrorë, me përqendrim më të theksuar në zonat malore, të thella dhe me dendësi të ulët popullsie.
Të dhënat tregojnë se rajonet veriore dhe verilindore janë ndër më të prekurat, duke përfshirë bashki si Tropoja, Kukësi, Dibra, Mati, Mirdita, Fushë-Arrëzi, Puka dhe Malësia e Madhe. Fenomeni vihet re gjithashtu në brezin qendror-lindor, në zona të Librazhdit, Gramshit, Skraparit dhe Elbasanit, si dhe në jug, ku bashki si Përmeti, Gjirokastra, Kolonja dhe Tepelena regjistrojnë prani të konsiderueshme braktisjeje.
Në anën tjetër, korridori perëndimor dhe qendrat e mëdha urbane si Tirana, Durrësi dhe Fieri paraqiten më pak të prekura. Ekspertët e lidhin këtë dukuri me mungesën e mundësive ekonomike dhe të shërbimeve publike në fshat, emigracionin e lartë, plakjen e popullsisë dhe polarizimin territorial mes ultësirës perëndimore e zonave të brendshme.

Leave a Reply