Tregu i faktoringut në Shqipëri vijoi tendencën rënëse edhe gjatë vitit 2025, duke shënuar tkurrjen e dytë consecutive. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e faturave të financuara nëpërmjet këtij produkti zbriti në 0.94 miliardë lekë, me një rënie prej 27.7% në terma vjetore. Edhe numri i faturave të financuara shënoi rënie të ndjeshme, duke kaluar nga 1,269 në vitin 2024 në 981 gjatë vitit të kaluar.
Megjithatë, teprica e portofolit të faktoringut shënoi rritje, duke arritur vlerën e 480 milionë lekëve, ose 37% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rreth 77% e aktivitetit u realizua në tregun vendas, ndërsa 95% e financimeve u kryen me garanci.
Faktoringu, i cili mundëson shndërrimin e faturave të papaguara në likuiditet të menjëhershëm, mbetet një produkt i margjinalizuar në tregun financiar shqiptar, pavarësisht se është i rregulluar ligjërisht që prej vitit 2006. Shtatë kompani jobankare mbajnë licencë për ofrimin e këtij shërbimi, por shumica e trajtojnë atë si aktivitet dytësor. Bizneset shqiptare mbulojnë nevojat e tyre për likuiditet kryesisht përmes overdrafteve dhe linjave të kredisë bankare.

Leave a Reply