Greqia po kalon një nga krizat më të rënda të zjarreve në vitet e fundit, me flakë që kanë përfshirë rajone të ndryshme të vendit, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha dhe detyruar mijëra banorë të braktisin shtëpitë e tyre. Zona më e dëmtuar mbetet Porto Germeno, ku mbi 100 banesa janë djegur ose kanë pësuar dëme të rënda. Zjarri është përhapur në tre fronte aktive, i nxitur nga erërat e fuqishme që po vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Autoritetet kanë lëshuar urdhra evakuimi për banorët e disa fshatrave në Beoti, Akaia dhe Fokidë, ndërsa sistemi i emergjencës 112 ka dërguar mesazhe paralajmëruese në zonat e kërcënuara. Operacionet ajrore vijojnë aty ku kushtet e lejojnë, por erërat e forta po kufizojnë efektivitetin e tyre. Zëdhënësi i zjarrfikësve deklaroi se situata është jashtëzakonisht e rëndë, duke theksuar se në disa zona kushtet ishin të padurueshme edhe për ekipet ndërhyrëse. Kryeministri Mitsotakis vizitoi Qendrën e Koordinimit për të ndjekur zhvillimet, ndërsa ministri i Mbrojtjes Civile njoftoi se mekanizmi i emergjencës po operon në kufirin e kapaciteteve të tij. Rajonet e Atikës dhe Evias mbeten në nivelin maksimal të rrezikut.


Leave a Reply