“Retreat-et janë investim te njerëzit, jo një shpenzim për kompaninë”

Flet Gentiana Josifi, Drejtore e Burimeve Njerëzore dhe Kulturës Organizative në Union Bank

Në një treg pune ku sfidat për të mbajtur talentet dhe për të rritur angazhimin e punonjësve janë gjithnjë e më të mëdha, kompanitë po i shohin retreat-et përtej konceptit tradicional të “team building”.

Për Union Bank, ato janë pjesë e strategjisë së zhvillimit të kulturës organizative, forcimit të lidershipit dhe bashkëpunimit mes ekipeve.

Gentiana Josifi, Drejtore e Burimeve Njerëzore dhe Kulturës Organizative në Union Bank, shpjegon se si maten rezultatet e këtyre investimeve dhe pse krijimi i hapësirave informale është bërë një element i rëndësishëm i performancës afatgjatë të organizatës.

Retreat-et po përdoren gjithnjë e më shpesh nga kompanitë si pjesë e strategjisë së menaxhimit të burimeve njerëzore. Çfarë objektivash konkrete synon të arrijë Union Bank përmes këtyre aktiviteteve?

Në Union Bank, retreat-et nuk i shohim thjesht si aktivitete team building, por si një investim të qëllimshëm në kulturën organizative, lidershipin dhe bashkëpunimin ndërmjet ekipeve.

Objektivi kryesor është të krijojmë hapësira ku punonjësit dhe drejtuesit mund të dalin përkohësisht nga dinamika e përditshme operacionale për t’u fokusuar te reflektimi, dialogu dhe ndërtimi i një vizioni të përbashkët.

Përmes këtyre aktiviteteve synojmë disa objektiva konkrete: forcimin e bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet strukturave, rritjen e angazhimit të stafit, ndarjen e objektivave strategjike të bankës, si dhe zhvillimin e aftësive të lidershipit dhe punës në ekip.

Retreat-et na ndihmojnë gjithashtu të krijojmë lidhje më të forta mes kolegëve, të rrisim besimin reciprok dhe të ndërtojmë një kulturë ku njerëzit ndihen pjesë e të njëjtit mision.

Përvoja jonë ka treguar se kur ekipet kanë mundësi të bashkëpunojnë në një mjedis më të hapur dhe më pak formal, krijohen ide më të mira, rritet mirëkuptimi mes funksioneve të ndryshme dhe forcohet gatishmëria për të punuar së bashku drejt rezultateve të përbashkëta.

Në fund të ditës, retreat-et janë një mënyrë për të investuar te njerëzit, sepse performanca e qëndrueshme e organizatës ndërtohet mbi ekipe të lidhura, të angazhuara dhe me një drejtim të qartë.

Si e matni suksesin e një retreat-i? A përdorni tregues të tillë si angazhimi i punonjësve, produktiviteti, bashkëpunimi mes ekipeve apo normat e largimit nga puna?

Suksesi i një retreat-i nuk matet vetëm nga përvoja gjatë aktivitetit, por mbi të gjitha nga ndikimi që ai krijon pas kthimit në vendin e punës. Për këtë arsye, ne përdorim një kombinim të treguesve sasiorë dhe cilësorë.

Në afat të shkurtër, vlerësojmë nivelin e kënaqësisë dhe angazhimit të pjesëmarrësve përmes feedback-ut të drejtpërdrejtë, si dhe analizojmë nëse objektivat e aktivitetit janë përmbushur. Po aq e rëndësishme është të kuptojmë nëse pjesëmarrësit e konsiderojnë kohën e investuar si të vlefshme për zhvillimin e tyre profesional dhe për forcimin e marrëdhënieve në ekip.

Në afat më të gjatë, fokusohemi tek indikatorë që lidhen me cilësinë e bashkëpunimit ndërmjet ekipeve, komunikimin, nivelin e angazhimit të punonjësve dhe klimën organizative. Një retreat i suksesshëm duhet të krijojë më shumë besim, më shumë dialog dhe një kuptim më të mirë të objektivave të përbashkëta. Këto elemente reflektohen gradualisht në mënyrën se si ekipet bashkëpunojnë dhe arrijnë rezultatet e tyre.

Sigurisht, tregues të tillë si produktiviteti, performanca e ekipeve apo qëndrueshmëria e stafit monitorohen vazhdimisht nga Banka, por ne i shohim retreat-et si një nga shumë faktorët që kontribuojnë në këto rezultate.

Qëllimi ynë nuk është të masim vetëm një aktivitet, por të kuptojmë se si investimi te njerëzit dhe kultura organizative ndikon në performancën afatgjatë të organizatës. Në fund, retreat-et janë të suksesshme kur njerëzit kthehen me më shumë qartësi, energji, motivim dhe gatishmëri për të punuar së bashku.

Në sektorin bankar, ku presioni dhe përgjegjësia janë të larta, sa i rëndësishëm është krijimi i hapësirave informale për të forcuar marrëdhëniet mes punonjësve?

Në sektorin bankar, ku puna karakterizohet nga ritëm i lartë, objektiva ambicioze dhe përgjegjësi të konsiderueshme, krijimi i hapësirave informale për bashkëpunim dhe ndërveprim mes punonjësve nuk është një luks, por një nevojë organizative.

Shpesh, cilësia e marrëdhënieve mes njerëzve përcakton sa efektivisht organizata arrin të përballojë sfidat e përditshme.

Aktivitete si retreat-et krijojnë mundësinë që kolegët të shohin njëri-tjetrin përtej roleve dhe strukturave formale. Ato ndihmojnë në ndërtimin e besimit, përmirësimin e komunikimit dhe krijimin e lidhjeve më të forta profesionale, të cilat më pas reflektohen edhe në mjedisin e punës. Kur njerëzit njihen më mirë, bashkëpunojnë më natyrshëm, zgjidhin më shpejt problematikat dhe ndajnë më lirshëm njohuritë dhe eksperiencat e tyre.

Në Union Bank kemi vërejtur se këto momente shërbejnë gjithashtu si një mundësi për të forcuar ndjenjën e përkatësisë ndaj organizatës dhe për të krijuar një kuptim të përbashkët të objektivave strategjike.

Retreat-et që kemi zhvilluar kanë kombinuar diskutimet mbi strategjinë, objektivat e biznesit dhe sfidat e sektorit, me aktivitete që nxisin komunikimin, bashkëpunimin dhe zgjidhjen e problemeve në ekip.

Në një kohë kur bankat po kalojnë transformime të rëndësishme digjitale dhe organizative, aftësia për të punuar si një ekip i unifikuar është po aq e rëndësishme sa kompetencat teknike. Për këtë arsye, investimi në krijimin e marrëdhënieve të forta mes njerëzve është në fakt një investim në performancën dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të organizatës.

A keni vënë re ndryshime konkrete në klimën e punës ose performancën e ekipeve pas organizimit të retreat-eve? Mund të ndani disa shembuj apo rezultate të matshme?

Po, kemi vënë re ndryshime pozitive, veçanërisht në aspektin e bashkëpunimit, komunikimit dhe klimës së punës brenda ekipeve që kanë marrë pjesë në retreat-e. Megjithatë, është e rëndësishme të theksojmë se retreat-et janë një nga elementet që kontribuojnë në këto rezultate dhe jo faktori i vetëm.

Ajo që kemi konstatuar në mënyrë të përsëritur është se pas këtyre aktiviteteve, ekipet shfaqin më shumë hapje në komunikim, një kuptim më të mirë të objektivave të përbashkëta dhe një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet funksioneve të ndryshme.

Në retreat-et që kemi organizuar, pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të diskutojnë strategjinë, sfidat e biznesit dhe mënyrat e përmirësimit të punës së përbashkët, duke krijuar një bazë më të fortë për bashkëpunimin e mëtejshëm.

Nga këndvështrimi i Burimeve Njerëzore, rezultati më i rëndësishëm është krijimi i një kulture ku njerëzit bashkëpunojnë më lehtë, kanë më shumë besim te njëri-tjetri dhe ndihen më të lidhur me ekipin dhe organizatën. Këto janë elemente që, në afatin e gjatë, ndikojnë pozitivisht edhe në angazhimin, performancën dhe qëndrueshmërinë e stafit

Shumë kompani po përballen me sfida si burnout, stresi dhe vështirësitë për të mbajtur talentet. Sa rol luajnë retreat-et në strategjinë tuaj për mirëqenien dhe motivimin e stafit?

Retreat-et janë një nga mënyrat për të investuar te motivimi, lidhja dhe angazhimi i njerëzve. Në një sektor si bankingu, ku ritmi i punës është intensiv, krijimi i hapësirave për bashkëpunim, reflektim dhe ndarje të vizionit ndihmon në forcimin e kulturës organizative dhe ndjenjës së përkatësisë

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për brezat e rinj, të cilët kërkojnë jo vetëm stabilitet profesional, por edhe një mjedis pune ku ndihen të vlerësuar, të lidhur me ekipin dhe me mundësi për t’u zhvilluar.

Për këtë arsye, retreat-et janë pjesë e një qasjeje më të gjerë për të ndërtuar një eksperiencë pune pozitive dhe për të mbajtur talentet afatgjatë.

Në një kohë kur çdo shpenzim duhet të justifikohet nga rezultati, si e shihni balancën mes kostos së organizimit të një retreat-i dhe përfitimeve që ai sjell për kompaninë në afat të gjatë?

Në një kohë kur çdo investim duhet të justifikohet me vlerën që krijon, retreat-et duhen parë si një investim në kapitalin njerëzor dhe jo thjesht si një aktivitet me kosto. Përfitimi më i madh vjen nga forcimi i bashkëpunimit, besimit dhe komunikimit ndërmjet njerëzve, elemente që ndikojnë drejtpërdrejt në efektivitetin e ekipeve.

Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në organizata ku bashkëpunojnë disa breza. Brezat e rinj kërkojnë më shumë ndërveprim, kuptim të qëllimit të punës dhe ndjenjë përkatësie, ndërsa kolegët me më shumë përvojë sjellin njohuri dhe perspektivë të vlefshme.

Retreat-et krijojnë një mjedis ku këto breza lidhen, mësojnë nga njëri-tjetri dhe ndërtojnë marrëdhënie që vështirë të krijohen në rutinën e përditshme të punës.

Për këtë arsye, ne i konsiderojmë retreat-et si një investim afatgjatë në kulturën organizative, angazhimin dhe ruajtjen e talenteve, veçanërisht në një treg pune ku njerëzit zgjedhin të qëndrojnë aty ku ndihen të lidhur me ekipin dhe vlerat e organizatës.

Punë dhe relaks: Si kompanitë e mëdha shqiptare po marrin me të mira punonjësit

Leave a Reply

Discover more from

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading