Flet Ornela Shehi, drejtuese e Departamentit të Marketingut dhe Eventeve në Deloitte Albania
Deri pak vite më parë, retreat-et, aktivitetet e team building-ut apo programet e mirëqenies konsideroheshin kryesisht si përfitime shtesë për punonjësit. Sot, gjithnjë e më shumë kompani po i trajtojnë ato si një investim të drejtpërdrejtë në performancën e biznesit.
Si matet vlera e një retreat-i dhe a mund të ndikojë ai në uljen e kostove të rekrutimit, largimeve nga puna dhe humbjes së talenteve?
Për këto zhvillime flet Ornela Shehi, menaxhere marketingu në Deloitte Albania, e cila shpjegon se pse retreat-et po konsiderohen gjithnjë e më shumë si një investim strategjik dhe jo thjesht një aktivitet social për punonjësit.
Kompanitë po shpenzojnë gjithnjë e më shumë për retreat-e, team building dhe programe të mirëqenies së stafit. Si e justifikon Deloitte këtë investim nga këndvështrimi i biznesit dhe cili është kthimi që pret të marrë prej tij?
Në Deloitte, njerëzit janë në qendër të gjithçkaje që bëjmë. Cilësia e shërbimeve që ofrojmë për klientët lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien, zhvillimin profesional dhe angazhimin e ekipeve tona.
Për këtë arsye, nisma të tilla si retreat-et, aktivitetet e team building-ut dhe programet e mirëqenies nuk konsiderohen si shpenzime shtesë, por si investime strategjike në kapitalin njerëzor.
Këto nisma forcojnë bashkëpunimin mes skuadrave, rrisin ndjenjën e përkatësisë ndaj organizatës dhe kontribuojnë në krijimin e një kulture pune pozitive dhe gjithëpërfshirëse.
Ekipet që kanë marrëdhënie më të forta ndërpersonale priren të jenë më produktive, më inovative dhe më të afta për të ofruar një përvojë të shkëlqyer për klientët.
Në afatgjatë, investimi në mirëqenien dhe përvojën e punonjësve reflektohet në performancë më të lartë organizative, angazhim më të madh dhe qëndrueshmëri më të fortë të talenteve brenda kompanisë.
Në një treg ku gjetja dhe mbajtja e talenteve është bërë më e kushtueshme, a mund të konsiderohen retreat-et një mënyrë më ekonomike për të ulur largimet nga puna dhe kostot e rekrutimit?
Po, por është e rëndësishme të kuptohet se retreat-et nuk janë një zgjidhje e izoluar. Ato janë pjesë e një strategjie më të gjerë që synon të forcojë angazhimin, zhvillimin dhe përkatësinë e punonjësve ndaj organizatës.
Sot, kostoja e zëvendësimit të një profesionisti të kualifikuar është dukshëm më e lartë sesa investimi në programe që forcojnë kulturën organizative dhe krijojnë lidhje të qëndrueshme mes njerëzve. Kur punonjësit ndihen të vlerësuar, të dëgjuar dhe pjesë e një komuniteti profesional që investon në zhvillimin e tyre, probabiliteti i largimit reduktohet ndjeshëm.
Në këtë linjë, retreat-et dhe aktivitetet e ngjashme shërbejnë si investime parandaluese që kontribuojnë në uljen e kostove të rekrutimit, onboarding-ut dhe humbjes së njohurive institucionale.
Megjithatë, këto programe kanë edhe një dimension tjetër të rëndësishëm: ato përfaqësojnë një formë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e punonjësve.
Në përvojën tonë, shumë profesionistë i konsiderojnë këto përvoja po aq të rëndësishme sa përfitimet financiare, pasi ato ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës profesionale dhe ndjenjën e përkatësisë me kompaninë.
A ka ndryshuar buxheti i kompanive shqiptare dhe ndërkombëtare për aktivitete të tilla pas pandemisë? A po e shihni këtë si një zë shpenzimi në rritje?
Pas pandemisë kemi vënë re një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si punëdhënësit e perceptojnë këtë kategori investimesh. Nëse më parë, aktivitetet e mirëqenies dhe team building-ut konsideroheshin shpesh si opsionale, sot ato po bëhen pjesë integrale e strategjive të menaxhimit të talenteve dhe të kulturës organizative.
Kjo tendencë është veçanërisht e dukshme në kompani që operojnë me modele hibride ose në ekipe të shpërndara gjeografikisht, ku krijimi i mundësive për ndërveprim fizik dhe ndërtim marrëdhëniesh ka marrë rëndësi të re.
Si rezultat, në shumë kompani ky zë buxhetor jo vetëm që është ruajtur, por është rritur dhe po planifikohet në mënyrë më të strukturuar, me objektiva të qarta biznesi dhe tregues konkretë të suksesit.
Si matet konkretisht efekti ekonomik i një retreat-i? Cilët janë treguesit që një kompani duhet të ndjekë për të kuptuar nëse investimi ka sjellë vlerë reale?
Matja e efektit të një retreat-i duhet të shkojë përtej perceptimeve subjektive dhe të lidhet me tregues konkretë organizativë. Midis tyre mund të përmendim nivelin e angazhimit të punonjësve, normën e largimeve vullnetare, cilësinë e bashkëpunimit ndërmjet ekipeve, produktivitetin, si dhe rezultatet pozitive në sondazhet mbi kulturën organizative.
Në përvojën e Deloitte, ndikimi i këtyre nismave vërehet edhe në reputacionin e punëdhënësit. Aktivitetet që promovojnë kulturën dhe përvojën e punonjësve gjenerojnë interes të shtuar nga talentet e tregut dhe shpesh shoqërohen me rritje të aplikimeve për pozicionet e hapura.
Një tregues veçanërisht domethënës është fenomeni i rikthimit të ish-punonjësve.
Në Deloitte kemi parë shumë profesionistë që, pas eksperiencave të tjera në treg, zgjedhin të rikthehen. Arsyeja kryesore rrallëherë lidhet vetëm me aspektin financiar, më shpesh përmenden mundësitë për zhvillim profesional, investimi në trajnim, kultura bashkëpunuese dhe mjedisi mbështetës i punës.
Kjo tregon se investimi në mirëqenien dhe përvojën e punonjësve krijon vlerë të qëndrueshme, jo vetëm ekonomike, por edhe sociale dhe kulturore.
E them me krenari që Deloitte është një prej kompanive që ka vendosur një standard të tillë në treg dhe sa më shumë kompani të standardizuara, aq më shumë tregu ndjek dhe përmirësohet në politikat e menaxhimit të kapitalit njerëzor.
Sa ndikojnë retreat-et në forcimin e bashkëpunimit mes ekipeve dhe a mund të përkthehet kjo në rezultate të matshme ekonomike?
Ndikimi është i konsiderueshëm. Kur njerëzit ndërtojnë marrëdhënie besimi jashtë mjedisit të zakonshëm të punës, komunikimi bëhet më i hapur, koordinimi më efektiv dhe vendimmarrja më e shpejtë.
Kjo përkthehet në bashkëpunim më të mirë ndërmjet ekipeve, reduktim të vonesave në projekte, më pak barriera organizative dhe një shërbim më cilësor për klientët.
Edhe pse këto rezultate nuk maten gjithmonë menjëherë në terma financiarë, ndikimi i tyre në performancën organizative dhe rezultatet e biznesit është i qartë.
Brezat e rinj në tregun e punës kërkojnë gjithnjë e më shumë përvoja dhe kulturë organizative, jo vetëm pagë. Sa rol luajnë retreat-et në tërheqjen dhe mbajtjen e profesionistëve të rinj?
Për brezat e rinj, zgjedhja e një punëdhënësi nuk bazohet vetëm te paga. Mundësitë për zhvillim profesional, fleksibiliteti, kultura organizative dhe ndjenja e përkatësisë janë bërë faktorë po aq të rëndësishëm.
Retreat-et dhe aktivitetet e ngjashme kontribuojnë në krijimin e këtyre përvojave dhe ndihmojnë në ndërtimin e lidhjeve autentike mes kolegëve. Sigurisht, ato nuk zëvendësojnë elemente të tilla si perspektiva e karrierës apo kompensimi konkurrues, por i plotësojnë ato.
Nga ajo që vërejmë në Deloitte, profesionistët e rinj janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për rëndësinë e benefiteve përtej pagesës. Mjedisi i punës, kultura e bashkëpunimit dhe komuniteti profesional ku bëjnë pjesë kanë peshë të konsiderueshme në vendimmarrjen e tyre për të qëndruar dhe për t’u zhvilluar brenda një kompanie.
Në kushtet kur puna hibride dhe ajo në distancë janë bërë më të zakonshme, a po përdoren retreat-et si një investim për të ruajtur kohezionin e ekipit dhe për të shmangur kostot e fshehura që vijnë nga mungesa e komunikimit dhe bashkëpunimit?
Absolutisht. Në epokën e punës hibride, retreat-et kanë marrë rol më strategjik se kurrë më parë. Teknologjia mund të mbështesë bashkëpunimin e përditshëm, por nuk mund të zëvendësojë plotësisht marrëdhëniet njerëzore dhe besimin që krijohet përmes ndërveprimit të drejtpërdrejtë.
Për këtë arsye, edhe në Deloitte, ku modeli hibrid i punës aplikohet me sukses prej vitit 2021, investojmë vazhdimisht në aktivitete që nxisin ndërveprimin, rrjetëzimin dhe forcimin e kulturës organizative.
Këto nisma ndihmojnë në ruajtjen e kohezionit të ekipit, rrisin ndjenjën e përkatësisë dhe reduktojnë kostot e padukshme që mund të lindin nga izolimi, mungesa e komunikimit apo dobësimi i kulturës së organizatës.
Në këtë kuptim, retreat-et nuk janë thjesht aktivitete sociale, por një instrument i rëndësishëm për të mbështetur performancën, inovacionin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të kompanisë.
Punë dhe relaks: Si kompanitë e mëdha shqiptare po marrin me të mira punonjësit

Leave a Reply