Tensionet gjeopolitike, moti ekstrem dhe ndërprerjet e papritura të furnizimit rrezikojnë të shtyjnë çmimet globale të gazit natyror drejt niveleve alarmante, paralajmëron revista britanike The Economist.
Që nga fillimi i qershorit, tregu global i gazit natyror të lëngshëm po përballet me një krizë të rëndë furnizimi. Shkaktare kryesore është bllokada praktike e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e furnizimeve botërore me GNL. Ngjarjet e fundit në rajonin e Gjirit Persik kanë nxjerrë jashtë funksionit 17 për qind të kapaciteteve eksportuese të Katarit, dëme që analistët parashikojnë se do të duhen vite për t’u riparuar plotësisht.
Ndërkohë, Europa gjendet në një pozitë veçanërisht të cenueshme. Rezervat e gazit janë mbushur vetëm në masën 47 për qind, niveli më i ulët prej 15 vitesh për këtë stinë. Çmimet e gazit janë 55 për qind më të larta në Europë dhe 73 për qind më të larta në Azi krahasuar me shkurtin.
Sipas ekspertëve, nëse furnizimet nga Gjiri nuk rikthehen deri në shtator, ndërkohë që valët e të nxehtit vazhdojnë dhe infrastruktura energjetike dëmtohet, bota rrezikon të përfundojë në një krizë të plotë energjetike këtë dimër.

Leave a Reply