Portofoli i investimeve strategjike në Shqipëri është paraqitur si një mekanizëm për tërheqje kapitali, zhvillim turistik dhe krijim vendesh pune. Por realiteti i disa prej tyre është më i ndërlikuar.
Projekti “Dreamades Luxury Suites” në Dhërmi ka përfunduar me dënim gjyqësor. Toka shtetërore ishte kaluar ilegalisht në pronësi private nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, ndërkohë që ish-kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, u dënua penalisht. Rreth dhjetë mijë metra katrorë tokë iu kthyen shtetit.
Tek “Durrës Yachts & Marina”, inspektimet shtetërore konstatuan ulje të themeleve deri në 28 centimetra në disa prej godinave, duke kërkuar ndërhyrje të specializuara teknike dhe stabilizim strukturash. Projekti, i cili zotohet si investim mbi dy miliardë euro, financohet kryesisht nga parashitja e apartamenteve, ndërsa kontributi fillestar i investitorit privat ka qenë rreth 80 milionë euro.
“Manastir Resort” dhe “Pashaliman Laguna Eco Resort” janë përfshirë në debate mjedisore dhe pronësore, ndërkohë që “Soleil & Sea” ka hasur në konflikte gjyqësore civile dhe kallëzime penale mbi pretendimet e pronësisë. Statusi strategjik ka shërbyer shpesh si privilegj administrativ, pa verifikuar qëndrueshmërinë ligjore, teknike apo ekonomike të projekteve.

Leave a Reply