Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të menaxhimit të mbetjeve, pas miratimit të dy ligjeve që harmonizojnë legjislacionin kombëtar me standardet europiane. Megjithatë, zbatimi i tyre po ndeshet me sfida të konsiderueshme financiare, sidomos në zonat bregdetare me fluks të lartë turistik.
Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis 2025 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, bashkitë si Saranda dhe Himara regjistrojnë kostot më të larta të shërbimit për frymë, si pasojë e rritjes së ndjeshme të sasisë së mbetjeve gjatë sezonit veror. Monitorimi i kryer në 15 bashki pilote zbulon diferenca të theksuara në kapacitetet lokale të menaxhimit.
Në të njëjtën kohë, disa bashki kanë shënuar progres të dukshëm. Bashkia Belsh ka arritur të rrisë ndarjen e mbetjeve në burim nga 8% në 34.4%, duke u renditur ndër rezultatet më pozitive të programit pilot.
Një ndryshim i rëndësishëm është vërejtur edhe në tregtinë e mbetjeve: sasia totale e eksporteve ra në 21.275 ton gjatë vitit 2025, nga 60.521 ton që ishin në vitin 2024. Reforma synon të zhvendosë modelin tradicional të grumbullimit drejt një sistemi të bazuar në riciklim dhe ekonomi qarkulluese, por financimi mbetet pengesa kryesore për bashkitë turistike.

Leave a Reply