Shqipëria renditet ndër vendet me densitetin më të lartë të bareve, restoranteve dhe shërbimeve ushqimore në Europë, si në raport me numrin e përgjithshëm të ndërmarrjeve, ashtu edhe me popullsinë. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, ky sektor përbën 12.28% të totalit të bizneseve shqiptare, një nivel rreth 2.6 herë mbi mesataren e Bashkimit Europian prej 4.73%. Pas Shqipërisë renditen Serbia me 8.43%, Greqia me 8.25% dhe Spanja me 7.51%.
Në numra absolutë, në vend rezultojnë 15,445 ndërmarrje të regjistruara në kategorinë e restoranteve, bareve dhe shërbimeve ushqimore, nga gjithsej 125,737 biznese aktive. Kjo do të thotë se më shumë se një në çdo tetë biznese shqiptare operon në këtë sektor. Kur bëhet krahasimi me popullsinë, Shqipëria ka 6.63 njësi të tilla për çdo 1,000 banorë, duke u renditur e treta në Europë, pas Greqisë dhe Portugalit, dhe pothuajse dyfishi i mesatares europiane.
Fenomeni shpjegohet me kapitalin fillestar të ulët, hyrjen relativisht të lehtë në treg dhe kulturën e konsumit jashtë shtëpisë. Vitet e fundit, rritja e turizmit ka shtuar kërkesën, por sektori mbetet i fragmentuar, me biznese kryesisht familjare, që përballen me kosto në rritje dhe mungesë të fuqisë punëtore.

Leave a Reply